BEJRUT, 30 nëntor /ATSH-DPA/- Avionët luftarakë izraelitë goditën sot një vendkalim dhe urat në kufirin e Sirisë me Libanin, sipas një monitoruesi të luftës.
“Sulmet shënjestruan pikën kufitare Jousieh dhe automjetet që i përkisnin milicisë libaneze të Hezbollahut”, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut – sipas të cilit nuk janë raportuar viktima.
Ushtria izraelite tha se kishte kryer sot në mëngjes një sulm të bazuar në inteligjencë, duke shënjestruar vendet e infrastrukturës ushtarake pranë pikave kufitare midis Sirisë dhe Libanit, të përdorura nga Hezbollahu për të kontrabanduar armë në Liban.
“Izraeli ka kryer gjithsej 158 sulme në Sirinë e shkatërruar nga lufta deri më tani – gjatë këtij viti”, sipas Observatorit.
“Ndërkohë, sulme të izoluara vazhdojnë të ndodhin edhe në Liban, tre ditë pas fillimit të armëpushimit midis Hezbollahut të mbështetur nga Irani dhe Izraelit”, sipas raporteve libaneze dhe izraelite.
“Tre persona u plagosën në Libanin jugor në një sulm ajror izraelit”, njoftoi sot Ministria libaneze e Shëndetësisë.
Sipas raporteve të mediave libaneze, një automjet ishte shënjestër e sulmit me dron.
Ushtria izraelite tha se do të hetonte raportin. //a.i/