Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur Planin për Stabilitetin e Energjisë para qytetarëve të Gjilanit, raporton Shqip.
Para përkrahësve të LDK-së dhe qytetarëve të Gjilanit në “Turneun e Ndryshimit’”, Abdixhiku tha se me LDK-në në qeveri do të ndërtohet termocentrali me gaz amerikan.
“Aty ku shtrenjtimi i energjisë elektrike s’ka fund, ne kemi plan për Central me Gaz, për stabilitet furnizimi, për një ekonomi të sigurt me partnerë”, tha Abdixhiku.
I pari i LDK-së, ka përsëritur zotimin për rritjen e koeficientit në 150 euro qysh në javën e parë të qeverisjes së tij, derisa ka përmendur edhe disa nga zotimet tjera të programit politik të partisë së tij.
“Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5 për qind rritje ekonomike”, tha Abdixhiku.
“Si lëvizja më e madhe historike shqiptare, e kemi për detyrë, e kemi për obligim, e kemi për mision indentitar, të shtrojmë jo vetëm dorën e përbashkimit me njerëzit e Kosovës, me ata të harruarit e të lënë në mëshirën e fateve ditore, por të shtrojmë Rrugën e Re përpara, për vet Republikën e Kosovës, shtetin që e bëmë ne, sepse, kjo rrugë s’bëhet pa ne! Këtë rrugë na takon ta bëjmë ne. Si bartës të së djathtës, si bartës politik të lëvizjes për liri, për demokraci e për pavarësi, neve, Lidhjes Demokratike të Kosovës, na takon ta bëjmë rrugën e zhvillimit, rrugën e konsolidimit shtetar e rrugën e integrimit euroatlantik”.
“Në fjalë të Atit Themeltar të shtetit të Kosovës, Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, ‘Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’, ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot, është misioni ynë nesër”, u shpreh kryetari i LDK-së, teksa foli edhe për migrimin e të rinjve.
“Çdo ikje e tyre s’është tharje veç e një familje, është tharje e humbje edhe familjes sime! Sepse çdo i ri i larguar është vëllau im, çdo i ri i larguar është fëmiu im, është miku im ështëfqinji im. Është koha të zgjedhni për ata prindër të rinj, që teksa shijojnë buzëqeshjet e para të porsalindurve, mbyten nga brenga e çmimeve që tani duhet ti përballojnë me një fëmijë mëshumë. Në secilin prind të tillë, që hamendet se si do ta rrisë një fëmijë, e në çfarë Kosovë do tërritet ai fëmijë, në secilin prind të tillë shoh veten, shoh bashkëpunëtorët e mi, shoh bashkëqytetarët e mi që rrisin familje këtu, përballen këtu, jetojnë këtu. Pushteti popullist u jep atyre vizatime e grafikone, u jep leksione se vështirësitë e tyre s’janë të vërteta. Them se është koha t’u jepni përgjigje meritore. Është koha t’ua hapim sytë që i kanë mbyllur nëkatër vjet”.
Haziri: Regjimi i Kurtit përmbyset në Gjilan
Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, tha se regjimi i Kurtit përmbyset në këtë komunë, teksa u kërkoi falje “të gjithë rugovistëve të cilët mbetën jashtë sallës“.
Ai thotë se ky është një demonstrim dhe mesazh se LDK është më unkike se kurrë.Postimi i plotë:
“Regjimi i Kurtit përmbyset në Gjilan. Unë e kryeministri në ardhje, Prof. Dr. Lumir Abdixhiku, u kërkojmë falje të gjithë rugovistëve të cilët mbetën jashtë sallës. Ky është demonstrimi dhe mesazhi më i madh se LDK është më unike se kurrë. Ju faleminderit pafund për këtë mbështetje plebishitare“, tha Haziri.
Për fund, u prezantuan edhe kandidatët për deputetë nga Komuna e Gjilanit. Lutfi Haziri, Lirie Kajtazi, Valentina Bunjaku-Rexhepi, Avdyl Aliu, Bardhyl Syla, ishin kandidatët për deputetë.