A dini se ç’përmban programi zgjedhor i djathtës ekstreme gjermane?

by admin

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) synon të bazojë programin e saj zgjedhor në daljen nga Bashkimi Evropian, Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike dhe monedhën euro, njoftoi të premten agjencia gjermane e lajmeve DPA, përpara zgjedhjeve të parakohshme që priten të mbahen në shkurt.

Politikat janë të përcaktuara në draft programin e partisë, të cilin anëtarët e partisë do ta diskutojnë dhe ta votojnë në Kuvendin Popullor më 11 dhe 12 janar.

Dokumenti prej 85 faqesh kërkon gjithashtu ligje më të rrepta për abortin, heqjen e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë dhe riparimin dhe riaktivizimin e gazsjellësit Nord Stream, i cili transportonte gazin natyror nga Rusia në Gjermani.

Monedha kombëtare

Për sa i përket euros, në draft program thuhet se Gjermania duhet “t’i japë fund rrugës së gabuar të shpëtimit të përjetshëm (të vendeve të tjera) duke rifutur monedhën kombëtare”.

“Ne besojmë se është e nevojshme që Gjermania të largohet nga Bashkimi Evropian dhe të krijojë një komunitet të ri evropian”, thuhet gjithashtu në dokument.

Drafti i programit të AfD-së akuzon Unionin se vitet e fundit po përpiqej me forcë të transformohej në një “supershtet me një ekonomi të planifikuar”.

Manifesti i partisë i publikuar në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor përmbante mesazhe të ngjashme, por jo fjalë për fjalë bëri thirrje që Gjermania të largohej nga BE.

Draft-programi kërkon gjithashtu daljen nga Marrëveshja e Parisit për të reduktuar gazrat serrë.

Kufizimet ligjore për abortin

“Konsensusi i supozuar shkencor” mbi ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu është i ndërtuar politikisht, pretendon teksti.

Ndërsa thekson një “kulturë miqësore për fëmijët“, AfD mbron kufizimet ligjore për abortin në draft.

“Kur peshohen me kujdes interesat, aborti duhet të mbetet si përjashtim absolut, për shembull në rastin e indikacioneve kriminale apo mjekësore”, theksohet në tekst.

Drafti propozon gjithashtu që grave shtatzëna duhet t’u kërkohet ligjërisht të shikojnë imazhet me ultratinguj të foshnjës gjatë këshillimit për abortin “në mënyrë që ato të jenë të vetëdijshme për fazën e zhvillimit të fëmijës”. /tesheshi.com/

You may also like